15 Mart 2016 Salı

Parathënie

Parathënie

Herë pas here një person përballet me dhimbje dhe vështirësi të ndryshme fizike dhe shpirtërore në këtë botë. Ndër to janë ndjenjat aq të thella që nuk mund të krahasohen me asnjë dhimbje tjetër fizike. Kjo ndjenjë që shkakton një shqetësim aq të madh në shpirtin e njeriut është një ndjenjë që quhet "pendim."
Megjithatë, ekzistojnë dy forma krejtësisht të ndryshme të pendimit. Pendimi që ndjejnë besimtarët dhe pendimi që e përjetojnë jobesimtarët. Këto dy ndjenja dallojnë jashtëzakonisht shumë nga njëra-tjetra.
Besimtarët janë njerëz të cilët kanë një besim absolut në faktin se ngjarjet ndodhin me vullnetin e All-llahut, dhe çdo gjë që u ndodhë atyre, ndodhë me vullnetin e All-llahut. Kjo e shpjegon vetinë e tyre dalluese shumë të rëndësishme të besimit të paepur të tyre në All-llahun, në kohë të mira, në telashe, ose kur ata bëjnë ndonjë gabim. Profeti Muhammed (savs), vuri në dukje karakterin e fortë të besimtarit me një krahasim në hadithin më poshtë:
Shembulli i një besimtari është sikurse shembulli i një kalliri që qëndron në fushë e që tronditet nga era dhe pastaj kthehet në gjendjen e tij të parë, por qëndron në rrënjët e tij. (Muslimi)
Pasi që bën një gabim, një besimtar menjëherë pendohet me sinqeritet dhe shpreson në faljen e All-llahut. Si rezultat, ai nuk vuan nga një ndjenjë e dhimbshme dhe jetëgjatë e pendimit. Pendimi që ndjejnë besimtarët i nxit ata që të kërkojnë falje, për të pastruar veten e tyre dhe i ndalon ata nga përsëritja e këtij gabimi. Kjo i ndihmon ata t’i korrigjojnë gabimet e tyre dhe i ndalon ata të mos zhyten në një gjendje të dhimbshme dhe pesimiste shpirtërore. Për më tepër, ky pendim nuk e zvogëlon entuziazmin, përkushtimin, apo zellin e tyre fetar dhe as nuk i tërheq ata poshtë në një spirale frike dhe depresioni.
Pendimi që ndjejnë jobesimtarët, në anën tjetër, është shumë shqetësues dhe jetëgjatë, pasi që ata nuk kanë besim në All-llahun, kur ata ndeshen me vështirësi ose kur bëjnë ndonjë mëkat. Gjatë gjithë jetës së tyre, ata shpesh përdorin fraza të tilla si "Do të dëshiroja të mos e kisha bërë këtë..." "Do të dëshiroja të mos e kisha thënë kurrë këtë...," dhe kështu me radhë.
Më e rëndësishme është se ata i nënshtrohen një pendimi shumë më të madh në Ahiret. Ata që kanë jetuar një jetë të larguar prej fesë (dinit) në këtë botë do të pendohen për çdo moment të jetës së tyre që e kanë jetuar të larguar nga rruga e drejtë. Ata ishin paralajmëruar më parë dhe ishin ftuar në rrugën e drejtë. Ata patën kohë të mjaftueshme për të menduar dhe për të zgjedhur rrugën e drejtë. E megjithatë, ata nuk dëgjuan, kur u paralajmëruan, duke shpërfillur Ahiretin sikur kurrë nuk do të vdisnin. Pastaj në botën tjetër, ata nuk do të kenë mundësi të kthehen në këtë botë dhe t’i korrigjojnë gabimet e tyre. Në Kur'an, All-llahu i rrëfen shprehjet e tyre plot keqardhje si vijon:
Ne ju kemi paralajmëruar se është i afërt dënimi,Ditën, kur njeriu do të shohë se ç’kanë bërë duart e tij dhe, kur jobesimtari do të thotë: “Ah, sikur të isha pluhur!” (Sure Nebe: 40)
Sikur t’i shohësh ata kur të vihen para zjarrit, duke thënë: “Ah! Sikur të ktheheshim pas, nuk do t’i mohonim shpalljet e Zotit tonë dhe do të bëheshim besimtarë!” (Sure En’am: 27)
Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të Zjarrit Flakërues!” (Sure Mulk: 10)
Ky libër ka për qëllim t’i paralajmëroj njerëzit për një ditë kur ata do të pendohen duke thënë "ah, sikur të kishim kuptuar...," "ah, sikur të mos i kishim refuzuar shenjat e Zotit tonë...," "ah, sikur t’i kishim pasuar ata të cilët na sollën porosinë...,"ah, sikur ta kishim bërë këtë dhe atë," etj dhe t’i ftojë ata që të jetojnë për All-llahun, ndërsa ende e kanë mundësinë për t’i korrigjuar gabimet e tyre.
Mbani në mend se atë ditë pendimi i askujt nuk do ta shpëtojë atë nga zemërimi i All-llahut. E vetmja mënyrë për t’iu shmangur këtij pendimi është që t’i nënshtrohemi All-llahut, ndërsa ka ende kohë dhe t’iu bindemi urdhërave të All-llahut.
Ky libër është një ftesë për në rrugën e All-llahut dhe një përkujtim për ndëshkimin e pashmangshëm në botën tjetër, ku nuk do të ketë vend për t’u fshehur dhe asnjë mundësi shpëtimi. All-llahu na përkujton këtë fakt në Kur'an në këtë mënyrë:
Përgjigjuni thirrjes së Zotit tuaj, para se të vijë Dita, të cilën All-llahu nuk e kthen më. Atë Ditë ju nuk do të keni kurrfarë strehimi dhe nuk do të mund të mohoni. (Sure Shura: 47)

Pendimi Që Ndjenë Njeriu Në Këtë Botë

Pendimi Që Ndjenë Njeriu Në Këtë Botë

Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë..(Sure Zumer:54-55) 
Kur njeriu është në rrezik jete, "ndërgjegjja" e tij fillon ta bëjë një vlerësim të shpejtë të jetës dhe veprave të tij. Nëse ky person nuk ka jetuar në pajtim me fenë (dinin) e All-llahut dhe nuk është angazhuar në vepra të mira në këtë botë, atëherë ai do të jetë i pushtuar nga pikëllimi dhe një pendim i madh. Shumë gjëra që ishin lënë pas dore gjatë jetës së tij shfaqen papritmas dhe me qartësi para syve të tij. Ndoshta për herë të parë në jetën e tij, ai e kupton se sa afër është vdekja. Ai pranon se nuk ka bërë një jetë të kësaj bote që i jep atij të drejtën për Xhennet. Ai bëhet i vetëdijshëm se ka qenë mosmirënjohës ndaj All-llahut dhe ndjen se kjo nuk do të mbetet pa përgjigje. Një frikë e tmerrshme të cilën nuk e ka përjetuar kurrë më parë e rrethon atë, dhe e kupton se vetëm All-llahu mund ta shpëtojë atë nga gjendja në të cilën ndodhet. Pastaj, ai i premton All-llahut se do të vazhdojë të jetë mirënjohës dhe i drejtë dhe se gjithmonë do ta kujtojë këtë gjendje. Ai i lutet All-llahut në mënyrë të sinqertë që të jetë i shpëtuar nga rreziku në të cilin ndodhet. Ai kërkon vetëm që të shpëtojë dhe t'i jepet vetëm një mundësi për të mbetur gjallë...
Megjithatë, ca njerëz nuk u mbeten besnik fjalëve dhe premtimeve që më parë i kishin dhënë All-llahut pasi që mbijetojnë një rrezik të tillë për jetë. Posa All-llahu e shpëton një person të tillë, ai kthehet në gjendjen e tij të mëparshme. Ndjenjat e pendimit dhe të nënshtrimit zëvendësohen me ndjenjën e mosmirënjohjes. Ai harron atë që kishte menduar dhe kuptuar në momentin kur ishte përballur me vdekjen. Me besimin se e kishte kaluar rrezikun, ai largohet nga All-llahu sikur të mos ishte ai personi që kishte përjetuar pendimin dhe që i ishte përgjëruar me sinqeritet All-llahut më parë. Ai e vazhdon jetën e tij me një dashuri edhe më të madhe për botën, sikur të mos kishte qenë në një situatë të vështirë pak kohë më parë. Në Kur'an, disa shembuj e përshkruajnë gjendjen psikologjike të njerëzve të tillë:
Ai ua mundëson (njerëzve) udhëtimin nëpër tokë dhe det. E, kur gjenden në anije që lundron me ta me erën e përshtatshme e ata i gëzohen kësaj, arrin një stuhi dhe i sulmojnë valët nga të gjitha anët e mendojnë se do t’i vënë poshtë, (atëherë) i luten All-llahut sinqerisht, duke i premtuar besimin: “Nëse na shpëton nga kjo, me të vërtetë, do të jemi mirënjohës”. E kur All-llahu i shpëton ata, ata përnjëherë pa kurrfarë të drejte bëjnë turbullira në Tokë. O njerëz! Vërtet, padrejtësia që bëni për t’u kënaqur në jetën e kësaj bote, vetëm ju dëmton. Pastaj ju do të ktheheni te Ne dhe Ne do t’ju njoftojmë për atë që keni punuar.(Sure Junus: 22-23)
Kur juve ju godet fatkeqësia në det, ata që ju i adhuronit në vend të Atij, zhduken. Por, pasi Ai ju shpëton në tokë, ju i ktheni shpinën. Njeriu është mosmirënjohës. Vallë, a jeni të sigurt, që Ai nuk do t’ju fundosë në tokë ose, që nuk do të dërgojë mbi ju stuhi me rërë, pa pasur mundësi që ju të gjeni dikë, që t’ju mbrojë? (Sure Isra: 67-68 )
Siç theksohet në ajetin e mësipërm, si mund të jetë i sigurt njeriu se nuk do të përballet përsëri me një rrezik të ngjashëm apo krejtësisht tjetër? Përndryshe, si mund të ndjehet dikush i sigurt se do të shpëtojë një herë tjetër? Nuk ka dyshim se askush kurrë nuk do të mund të garantonte që këto gjëra nuk do të ndodhin. Mbani në mend gjithashtu se shpëtimi nga një rrezik nuk do të përbëjë ndonjë ndryshim në jetën e njeriut. Në fund të fundit, njeriu do të vdes një ditë, pikërisht atëherë kur ai ta mbarojë kohën e përcaktuar për të. Atëherë ai do të ndjejë pendim, por kjo nuk do t’i sjellë aspak dobi atij.
E tillë është gjendja e përgjithshme psikologjike e atyre që jetojnë të larguar nga feja (dini). All-llahu e shpjegon këtë gjendje si vijon:
E, kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë ose ulur, ose në këmbë. E, sapo Ne ia largojmë të keqen, vazhdon rrugën, thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu, plëngprishësve (që shkelin kufijtë e All-llahut) iu zbukurohet ajo që punojnë.(Sure Junus: 12)
Kur njerëzit i godet ndonjë e keqe, ata i luten Zotit të vet, duke iu kthyer me pendesë, e pastaj, kur Ai u jep të shijojnë mëshirën e Tij, atëherë një pjesë tyre i shoqërojnë Zotit të vet diçka tjetër (në adhurim).(Sure Rum: 33)
Njerëzit që përshkruhen në këto vargje i drejtohen All-llahut kur ballafaqohen me vështirësi. Megjithatë, posa ta kalojnë këtë vështirësi ata i harrojnë premtimet që i bënë All-llahut dhe shfaqin mosmirënjohje. Ky qëndrim sqaron se pendimi që ata ndjenë në të vërtetë lindi nga pafuqia që ndjen njeriu në gjendje vështirësie.
Pendimi i veçantë për besimtarët megjithatë është shumë i ndryshëm nga pendimi i përmendur më lart sepse ai i sjell më të mirën njeriut. Pendimi i sinqertë nuk harrohet menjëherë. Ai i jep shtytje njeriut dhe shkakton ndryshime thelbësore në karakterin e tij. Ai i cili ndjen pendim të sinqertë në zemrën e tij jeton pjesën tjetër të jetës së tij në pajtim me pëlqimin e All-llahut, duke shpresuar në mëshirën dhe faljen e All-llahut. Kur ndryshojnë rrethanat, ose jepet një mundësi e re, ai nuk guxon kurrë t’i kthehet mënyrës së mëparshme të të jetuarit, duke qenë i vetëdijshëm se një mosmirënjohje e tillë nënkupton humbje për të.
All-llahu në Kur'an rrëfen për gjendjen psikologjike të njerëzve që përballen me vdekjen në bordin e anijes në mënyrë që kjo të shërbejë si paralajmërim për të gjithë njerëzit. Kjo për arsye se kjo prirje ekziston në unin e secilit individ. Pra, duke nxjerrë një mësim nga ky shembull i përshkruar në ajetet e mësipërme, njeriu duhet seriozisht t’i shmanget këtij aspekti negativ të shpirtit të tij dhe të bëjë një verifikim të sinqertë të ndërgjegjes së tij. Pastaj, ai duhet t’ia parashtrojë vetes së tij këto pyetje:
"Në çfarë gjendje psikologjike do të isha, po të isha në një situatë të ngjashme? Çfarë do të më bënte të pendohesha? Cilat ndryshime radikale të karakterit tim do t’ia premtoja vetes sime, nëse do të shpëtoja nga rreziku? Prej çfarë veprash do të hiqja dorë dhe cilat vendime do t’i zbatoja sinqerisht në praktikë?"
Të marrësh parasysh këto dhe të veprosh në përputhje me rrethanat, duke qenë fizikisht në rrezik nuk është medoemos e nevojshme. Ka shumë mundësi që dikush që dështon të marr në konsideratë një mundësi të tillë të mund ta përjetojë atë shumë shpejt. Ose, ai mund të mos përballet kurrë me një rrezik të tillë në jetë. Megjithatë, në të dyja rastet një gjë është e sigurtë: kur të vijë momenti i vdekjes i përcaktuar për një person, ai do t’i gjejë papritur engjëjt e vdekjes pranë tij. Mu në atë moment, kur ai vërtetohet plotësisht për të vërtetën e vdekjes, nëse ka dështuar ta jetojë jetën e tij në rrugën e All-llahut, ai patjetër do të ketë arsye për t’u penduar.
Për t’iu shmangur pendimit në këtë botë dhe në botën tjetër, e vetmja gjë që duhet të bëjmë është që t’i kthehemi All-llahut, të jemi të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë tona ndaj All-llahut, dhe t’iu përmbahemi urdhërave të All-llahut siç thuhet në Kur'an. Vdekja është tejet afër, kështu që njeriu nuk duhet kurrë të vonojë për të bërë gjërat për të cilat mban përgjegjësi. Ai duhet t’i vërë në veprim vendimet e tij të sinqerta me durim dhe vendosmëri. Sinqeriteti dhe afërsia me All-llahun duhet të jetë sinqeriteti që ndjen njeriu në kohë rreziku dhe pafuqie, nëse jo më shumë.
Fakti më i rëndësishëm që duhet të mbajmë në mend është fakti në vazhdim: qëllimi kryesor i ekzistencës së njeriut në këtë botë është që t'i shërbej All-llahut dhe të jetë një rob që fiton kënaqësinë e Tij. Çdo gjë tjetër përveç kësaj, domethënë, suksesi, pasuria, familja, karriera e njeriut, etj janë vetëm mjete me të cilat njeriu mund t’i afrohet më shumë All-llahut. Përpjekjet e atyre që përpiqen vetëm për t’i arritur ato mjete në mënyrë të pandërgjegjshme, duke harruar dhe shpërfillur faktin se këto të mira u janë dhënë atyre nga All-llahu në mënyrë që ata t'i kthehen Atij dhe t’i falënderohen Atij, do të jenë të kota, përveç nëse All-llahu dëshiron ndryshe. Përfitimet e përkohshme të realizuara në këtë botë mund të mos i bëjnë fare dobi njeriut në botën tjetër. Në Kur'an, Zoti ynë i Plotfuqishëm All-llahu thotë se këta janë soji i njerëzve të cilët do t’i pllakosë më së shumti pikëllimi:
Thuaj: “A doni t’ju lajmëroj për ata që, më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?” Këta janë ata, që nuk kanë besuar në shpalljet e Zotit të tyre dhe në takimin me Të. Punët e tyre do të fshihen, andaj Ne nuk do të vëmë kurrfarë peshe për ta (për veprat e tyre), në Ditën e Kiametit. (Sure Kehf: 103-105)
Nëse njeriu e fiton kënaqësinë e All-llahut në këtë botë nëpërmjet sjelljes dhe moralit të tij, All-llahu me siguri do ta mbrojë atë si në këtë botë ashtu edhe në të përtejmen. Megjithatë, nëse ai e humb këtë mundësi në këtë botë, ai do të pendohet për këtë gabim të tmerrshëm që nga momenti kur engjëjt e vdekjes do t’i shfaqen atij. Ky gabim, që nuk ka gjasa që të përmirësohet, do të jetë shkaku i një pendimi të përjetshëm-përveç nëse All-llahu dëshiron ndryshe. Në Kur’an, All-llahu e përshkruan pendimin që ndjejnë njerëzit në Praninë e Tij si vijon:
Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!” (Sure Fexhr: 24)
...Ai thërriste: “Ah! Sikur të mos i kisha shoqëruar Zotit tim askënd!” (Sure Kehf: 42)
...“Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! (Sure Furkan: 27)
Një person i cili nuk do të donte t’i shqiptonte këto fjalë i dëshpëruar duhet, që nga ky moment, t’i nënshtrohet Zotit tonë dhe të jetojë në pajtim me parimet e përcaktuara nga Krijuesi ynë.

Njeriu duhet të marrë mësim nga pendimi
që ndjenë në këtë botë

Jeta e kësaj bote është një mundësi e rëndësishme që i është dhuruar njeriut në mënyrë që njeriu të mund të fitojë jetën e përsosur dhe të përjetshme të Ahiretit.
Ata të cilët nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi dhe jetojnë një jetë shumë të largët nga feja Islame do të pendohen për çdo moment që e kanë jetuar në dynja, kur ta shohin dënimin në Ahiret. Kjo për shkak të faktit se këta njerëz ishin paralajmëruar disa herë dhe ishin bërë me dije për ekzistencën e të dy banesave të Xhehennemit dhe Xhennetit. Ata ishin bërë me dije gjithashtu se sjellja e tyre do të përcaktonte se cilën banesë do ta fitojnë, ashtu siç ka thënë Pejgamberi (savs): "Dynjaja është ara e Ahiretit." (Ihja 'el-ulum, iv, 14.)
All-llahu me zemërgjerësi të madhe e mëson njerëzimin për ndjenjën e pendimit në këtë botë duke i stimuluar mendimet dhe ndjesitë e njeriut nëpërmjet përvojës së pendimit, në mënyrë që ai të mund të shmang arritjen e këtij fundi të pakthyeshëm. Përveç kësaj, All-llahu u jep njerëzve një kohë të caktuar në mënyrë që ata të mund ta pastrojnë veten nga gabimet e tyre dhe sjelljet e tyre të gabueshme. Gjatë jetës, çdo qenie njerëzore i është ofruar mundësia për t’u penduar dhe për ta jetuar pjesën e mbetur të jetës së tij në rrugën e All-llahut.
Shikuar nga ky këndvështrim, ndjenja e pendimit është në të vërtetë një mundësi e madhe që All-llahu ia dhuron njeriut. Kjo për arsye se pas një pendimi të tillë të thellë, nëse njeriu i kthehet All-llahut, All-llahu i dhuron atij shpëtimin e përjetshëm si shpërblim për sinqeritetin e tij. Në anën tjetër, nëse njeriu i shpërfill në mënyrë të shkujdesur këto paralajmërime dhe mundësi, atëherë dënimi i tij do të jetë pendimi dhe pikëllimi nga të cilat ai nuk do të jetë në gjendje të shpëtojë përveç nëse All-llahu ashtu dëshiron.
Në Kur'an, All-llahu na ofron shembuj të ndryshëm të njerëzve që u penduan për gabimet e tyre. Këto ndjenja pendimi shtynë një grup njerëzish që t’i kthehen All-llahut dhe i shpëtuan ata nga përsëritja e gabimit të tyre për pjesën e mbetur të jetës së tyre. Megjithatë, një grup tjetër me kohë harroi krejtësisht për këtë pendim, dhe nga padituria e përsëritur, u kthyen në gjendjen e tyre të mëparshme të mosbindjes.
All-llahu na njofton në Kur'an për pendimin që përjetuan tre njerëz që nuk kishin marrë pjesë në një betejë gjatë jetës së Profetit Muhammed (savs) si një shembull shumë i përshtatshëm për pendimin që buron nga keqardhja:
Pa dyshim, All-llahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë, pasi zemrat e disave prej tyre për një fije qenë afër shmangies (nga detyra), pastaj All-llahu pranoi pendimin e tyre. Vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta. Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve, që mbetën prapa atëherë, kur toka, sado e gjerë, iu duk e  ngushtë dhe iu shtrënguan shpirtrat, aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç All-llahut e pastaj All-llahu u dha mëshirë që të pendohen. Me të vërtetë, All-llahu pranon pendimin dhe është  Mëshirëplotë. (Sure Teube: 117-118)
Siç mësojmë nga vargjet e mësipërme, të tre njerëzit që kishin mbetur prapa përjetuan një ndjenjë të madhe të keqardhjes në zemrat e tyre. Si pasojë, ata e kuptuan se e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga kjo keqardhje është që të pendohen dhe të kërkojnë strehim tek All-llahu. Kjo është ndjenja e pendimit të sinqertë që i vë njerëzit në lëvizje, i ndryshon ata dhe i nxit ata për t’i korrigjuar gabimet e tyre. Njerëz të tillë të sinqertë do të jetojnë një jetë në përputhje me pëlqimin e All-llahut dhe do të shpresojnë në dhembshurinë dhe mëshirën e All-llahut. All-llahu na njofton në Kur'an se Ai pranon pa dyshim pendimin e robërve të Tij dhe i falë ata:
Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë All-llahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. All-llahu është Falës e Mëshirëplotë. Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga All-llahu. (Sure Furkan: 70-71)
Ndërsa ata që kryejnë vepra të këqija e pastaj pendohen dhe bëhen besimtarë, ta dinë se pas kësaj, Zoti yt është vërtet Falës e Mëshirëplotë. (Sure A’raf: 153)
O bijtë e Izraelit, Ne ju shpëtuam nga armiku juaj, bëmë besëlidhje me ju në anën e djathtë të Turit dhe ju zbritëm manë dhe thëllëza. (Sure Ta Ha: 82)
Gjithashtu në Kur’an thuhet se ata popuj të cilëve u janë dërguar profetët u penduan për veprimet e tyre të gabuara. Po ashtu, populli i Profetit Musa (as) që nuk mundën të prisnin që ai të kthehej nga mali Sinai me porosinë e All-llahut e harruan All-llahun dhe iu rikthyen idhujtarisë. All-llahu përshkruan pendimin e madh të këtij populli për gjynahun e tyre si vijon:
Populli i Musait, pas largimit të tij, filloi të adhurojë një viç të bërë nga stolisjet e tyre të arta. Ai kishte një zë si të lopës. A nuk e shihnin ata se ai as nuk mund t’u fliste, as t’i udhëzonte në rrugë të drejtë?! Ata e zgjodhën këtë viç për adhurim dhe u bënë keqbërës. Por, kur u penduan dhe e kuptuan se kishin hyrë në rrugë të gabuar, ata thanë: “Nëse Zoti ynë nuk na mëshiron dhe nuk na fal, me të vërtetë, do të jemi të humbur!” (Sure A’raf: 148-149)
All-llahu e vë theksin në pendim përsëri në Kur'an në historinë e pronarëve të kopshtit. All-llahu u dhuroi atyre një kopsht si mirësi prej Tij. Megjithatë, ata u bënë kryelart, e përvetësuan kopshtin dhe harruan të jenë mirënjohës ndaj All-llahut. Prandaj dënimi që morën bëri që ata të pendohen për veprimet e tyre dhe t’i kthehen All-llahut. Ajetet lidhur me pronarët e kopshtit janë si vijon:
Ne i kemi vënë në provë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam të zotët e kopshtit, të cilët ishin betuar se në mëngjes do t’i vilnin frutat e nuk patën thënë “Në dashtë Zoti”! Kështu, kopshtin e  goditi një fatkeqësi nga Zoti yt, ndërkohë që ata po flinin dhe gdhiu si i kositur. Në agim, ata thirrën njëri-tjetrin: “Nxitoni herët në kopshtin tuaj, nëse doni t’i vilni frutat!” Dhe u nisën duke pëshpëritur: “Të mos lejojmë asnjë të vobekët që të hyjë në kopshtin tonë!” Ata u nisën herët, të vendosur në atë që thanë. Por, kur e panë kopshtin, ata thanë: “Ne qenkemi vërtet të humbur; madje, qenkemi të privuar (nga frutat e kopshtit).” Më i arsyeshmi ndër ta tha: “A nuk ju thashë unë se duhet ta lartësoni All-llahun?!” “Lavdëruar qoftë Zoti ynë! - thanë - Ne paskemi qenë vërtet të padrejtë!”  Atëherë filluan të qortojnë njëri-tjetrin. “Ah, të mjerët ne! - thanë ata - Paskemi qenë vërtet arrogantë! Zoti ynë mund të na japë një kopësht më të mirë, po të kthehemi të penduar tek Ai!” (Sure Kalem: 17-32)
Por kur ndryshojnë rrethanat apo kur atyre u jepet një mundësi e re, shumica e njerëzve e harrojnë paralajmërimin, i cili do të duhej t'i bëjë ata të ndjejnë keqardhje, të pendohen dhe t’i inkurajojë ata të bëjnë vepra të mira. Ata që i shpërfillin paralajmërimet dhe u kthehen sjelljeve të tyre të mëparshme me siguri do të dënohen, përveç nëse pendohen me kohë siç ishte rasti me popullin e Themudit, popullin e Profetit Salih (as). Këta njerëz i refuzuan me vrazhdësi paralajmërimet e profetit Salih (as), edhe pse e dinin se do të pendoheshin për dënimin e pashmangshëm të tyre. S’ka dyshim se All-llahu nuk do ta shkel kurrë premtimin e Vet për realizimin e urdhërit të Tij. All-llahu na njofton në Kur’an për këtë të vërtetë, e cila do të jetë një mësim për të gjithë njerëzit:
Ai tha: “Ja, kjo është një deve. Ajo do të ketë radhën e saj për të pirë, ashtu si edhe ju, në ditë të caktuara. Mos i bëni kurrfarë të keqeje asaj, se do t’ju godasë dënimi i një Dite të madhe! Por ata e therën e pastaj u erdhi keq. Dhe kështu, ata i goditi dënimi. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë. (Sure Shu’ara: 155-159)
Njeriu duhet të mbaj mend se All-llahu është i drejtë. Ai nuk lë asnjë faj pa përgjigje; por Ai gjithashtu shpërblen me bujari të madhe veprat e mira që bëhen për Të. Ai u jep lajmin e gëzuar të mëshirës dhe të Xhennetit të Tij atyre që i kthehen Atij me një pendim të sinqertë. Duke i marrë këto parasysh, njeriu duhet t’ia bëjë vetes pyetjen në vazhdim: duke qenë të vetëdijshëm për telashet e mëdha që shkakton pendimi i përkohshëm në këtë botë, a ia vlen të rrezikohet një pendim që mund të zgjasë përgjithmonë? Mos të harrojmë se ky pendim do të jetë pendimi që njeriu do ta vuajë në jetën e përtejme të pafund në Xhehennem...
Pa dyshim, askush nuk do të rrezikonte të ndjente një pendim të tillë në Ahiret. Në këtë rast, ajo që njeriu duhet të bëjë është e qartë: çdo njeri më vete në këtë botë ka ende kohë për ta shfrytëzuar këtë mundësi. Ai i cili përfiton nga kjo mirësi e All-llahut jo vetëm që do të jetë i shpëtuar nga zjarri por gjithashtu do të jetë trashëgimtar i mirësive të kësaj bote dhe të Ahiretit të përjetshëm.
Prandaj, çdo person i cili përpiqet për t’i arritur këto mirësi dhe për t’iu shmangur pendimit të Banorëve të Zjarrit ka nevojë të jetë i përkushtuar për të fituar kënaqësinë e All-llahut. Njeriu duhet ta ndjekë në mënyrë të pakushtëzuar rrugën që e nxjerr njeriun nga errësira në dritë. All-llahu e përcakton këtë rrugë në ajetet e mëposhtme:
Është Ai që ju bekon, ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve. Përshëndetja e tyre, kur ta takojnë Atë, është “Paqe”. Ai u ka përgatitur atyre shpërblim bujar. (Sure Ahzab: 43-44)

Për Të Mos Ndierë Keqardhje Në Ahiret

Për Të Mos Ndierë Keqardhje Në Ahiret

Përse t’ju ndëshkojë All-llahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?! All-llahu është Mirënjohës dhe i Gjithëdijshëm. (Sure Nisa’: 147)
Njerëzit janë krijuar me shumë dobësi dhe të meta. Gjatë gjithë jetës sonë, ne i harrojmë shumë gjëra dhe bëjmë gabime të panumërta. Megjithatë përmes pendimit, të cilin All-llahu na e dhuron si një nder të madh, gjithmonë është e mundur t’i korrigjojmë gabimet tona në këtë botë. Në të vërtetë, bota është krijuar vetëm për këtë qëllim: ne përgatitemi, vihemi në sprovë, dhe pastrohemi nga gabimet tona në këtë botë. Është e mundur që ne të pendohemi shumë për gabimet tona apo për mënyrën se si e kemi jetuar jetën tonë. Megjithatë, është gjithmonë e mundur që ta kompensojmë këtë pendim. Pasi të kemi përjetuar këtë pendim, ne mund të lutemi për pranim të pendimit dhe të shpresojmë në faljen e All-llahut.
Në Kur’an, All-llahu jep lajmin e gëzuar se Ai do ta falë çdo gjynah nëse njeriu pendohet sinqerisht. All-llahu i di edhe mendimet tona më intime dhe çdo fjalë që ne e mbajmë në veten tonë. Ai e di nëse jemi apo nuk jemi të sinqertë ndaj Tij. All-llahu, në Kur’an, përshkruan afërsinë e Tij me robërit e Tij:
Zoti juaj e di më së miri ç’keni në shpirtrat tuaj. Nëse ju jeni të drejtë, sigurisht që Ai është Falës për ata që pendohen. (Sure Isra: 25)
Megjithatë, një fakt tjetër i rëndësishëm del në sipërfaqe këtu; pas vdekjes, nuk është e mundur t’i kompensojmë gabimet dhe mëkatet e bëra në këtë botë përveç nëse All-llahu dëshiron ndryshe. Pra, ne nuk guxojmë të humbim as edhe një moment të vetëm. Minutat kalojnë sa hap e mbyll sytë dhe me çdo moment që kalon, ne i afrohemi edhe më shumë vdekjes. Për më tepër, ne nuk mund të parashikojmë kurrë se kur do të përballemi me vdekjen. Koha, ora dhe minuta e saj s’mund të jenë të njohura kurrë. Ne të gjithë do të vdesim një ditë me siguri dhe do të japim llogari për veprat tona në Praninë e All-llahut.
Për këtë arsye, njeriu duhet gjithmonë të mbajë në mend se ai mund të vdes shpejt. Nëse nuk dëshiron të pendohet në botën tjetër, ai duhet ta rishikojë jetën e tij.
All-llahu është Krijuesi ynë i Gjithëfuqishëm dhe ajo që i takon çdo individi përballë Fuqisë së Tij është që të përmbush në mënyrë të duhur dhe të plotë obligimet e tij si rob gjatë kohës që i është dhënë atij në këtë botë. Një besimtar e dëshmon veten përmes kujdesit që ka ndaj riteve fetare të tij; ai me entuziazëm  kryen namazin 5 herë në ditë, abdestet dhe agjërimin e urdhëruar nga All-llahu gjatë gjithë jetës së tij.
Ibn ‘Umari (ra)transmeton: Profeti (savs) ka thënë, "Feja e Islamit mbështetet në pesë parime themelore: të dëshmuarit se nuk ekziston Zot tjetër përveç All-llahut, se Muhammedi (savs) është rob dhe i Dërguar i Tij, namazi, agjërimi dhe haxhillëku." (Buhariu dhe Muslimi)
Po të ishte pikërisht tani koha për të takuar engjëjt e vdekjes, a do të ishte në gjendje një person i cili nuk arriti të përmbush detyrën e tij si rob i All-llahut në jetën e kësaj bote të jap llogari për të gjitha vitet që ka kaluar në këtë botë?
Çfarë keni bërë deri tani për të fituar kënaqësinë e All-llahut? A keni qenë mjaftë të përpiktë në përmbushjen urdhërave të All-llahut?
Një person mund të mos ketë një përgjigje pozitive për asnjërën nga këto pyetje. Por në qoftë se ai pendohet dhe me sinqeritet bën një zotim të padyshimtë që të jetojë për të fituar kënaqësinë e All-llahut, atëherë ai mund të shpresojë në faljen e All-llahut. I Dërguari i All-llahut (savs) shpesh ka kërkuar falje prej All-llahut:
Pasha All-llahun, unë i kërkojë falje All-llahut dhe i kthehem Atij me pendim çdo ditë më shumë se shtatëdhjetë herë. (Buhariu)
Ne duhet të kërkojmë strehim tek All-llahu, i Cili është el-Gafar (Falësi, Ai i Cili është Gjithnjëfalës), el-Halim (i Buti, Ai i Cili është i Butë), dhe el-Teueb (Pranuesi i pendimit). All-llahu do t’i shpërblejë pa dyshim ata që janë të qëndrueshëm dhe që i drejtohen shpesh Atij. Ai me siguri do t’i fal robërit e Tij të cilët kanë besim dhe do t’i shpërblejë veprat e tyre të mira sipas më të mirës që kanë vepruar. Në Kur’an, All-llahu e shpall këtë lajm të madh të gëzuar si vijon:
Gjithçka që keni ju, është kalimtare, ndërsa ajo që ndodhet tek All-llahu, është e përhershme. Vërtet, Ne do t’i shpërblejmë ata që kanë duruar sipas veprave më të mira që kanë bërë. Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë. (Sure Nahl: 96-97)
I Dërguari i All-llahut (savs) gjithashtu u bëri thirrje besimtarëve që të jenë të durueshëm në bërjen e veprave të mira dhe u dha atyre lajmin e mirë se ata do të shpërblehen nga All-llahu, nëse veprojnë kështu:
Profeti (savs) ka thënë: "Vazhdoni të bëni (vepra të mira), ngase çdo njeri do ta ketë të lehtë të bëjë (atë që do ta shpijë atë në vendin e tij të përcaktuar)." Pastaj ai recitoi: "Sa për atë që jep (lëmoshë) nga pasuria e tij dhe përmbush obligimin e tij ndaj All-llahut, dhe beson në shpërblimin më të mirë nga All-llahu (All-llahu pra do ta shpërblejë atë për atë që ai do të shpenzojë në rrugën e All-llahut). Pra, Ne do ta sheshojmë për të rrugën e lehtësisë. Por ai i cili është një koprrac i pangopur ... për të, rrugën e të keqes. " (Buhariu)
Kurrë mos harroni se në çdo kohë çdonjërit prej nesh mund t’i vijë vdekja dhe, edhe pse mund të jetë i penduar shumë, mund të mos ketë më mundësi për t’i korrigjuar gabimet e bëra në jetën e kësaj bote. Për këtë arsye, nuk duhet të humbasin fare kohë dhe të kërkojmë pranimin e pendimit nga All-llahu dhe të jetojmë sipas urdhërave të Tij dhe sipas sunnetit të Pejgamberit (savs). Kjo është e mënyra e vetme për të qenë rob mbi të cilin All-llahu derdh mëshirën dhe dashurinë e Tij. Kjo është përsëri e vetmja mënyrë për të fituar Xhennetin, vendbanimin e përjetshëm që All-llahu e ka përgatitur për besimtarët e Tij të sinqertë.

Fillimi i Pendimit Për Jobesimtarët: Vdekja

Fillimi i Pendimit Për Jobesimtarët: Vdekja

Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.(Sure Enbija’: 35)
Vdekja konsiderohet të jetë një fund dhe shkatërrim përfundimtar prej atyre që nuk besojnë në botën tjetër. Mirëpo, ky është një perceptim i gabueshëm ngase vdekja nuk është fundi por një fillim. Për besimtarët, ajo është fillimi i një Parajse të përsosur e të përjetshme që është e pastër nga çdo e keqe dhe e metë. Për jobesimtarët, në anën tjetër, ky është një kalim në një jetë në Xhehennem, ku përjetohet një dënim i madh.
Ata të cilët e kuptojnë këtë realitet e jetojnë një fund të këndshëm në këtë botë kur t’ju vijë vdekja dhe një fillim të këndshëm në Ahiret. Këto të dyja ndodhin njëkohësisht. Jobesimtarët, në anën tjetër, përballen me një pendim të pariparueshëm për shkak të mospërfilljes së këtij realiteti, për të cilin ata ishin njoftuar më parë. Ata vuajnë këtë pendim në çdo moment për aq kohë sa të dojë All-llahu dhe kurrë nuk gjejnë pushim prej tij.
Megjithëse vdekja nuk është një çështje të cilës shumica e njerëzve i kushtojnë kujdes të veçantë, ajo është një fund i pashmangshëm. Kjo për arsye se All-llahu e krijon vdekjen si fundin e përcaktuar të kësaj jete. Deri tani, as edhe një person i vetëm nuk i është shmangur vdekjes. Askujt nuk i kanë siguruar prona, pasuria, karriera apo miqtë e ngushtë shpëtimin nga vdekja. Pa dyshim se çdo njeri do ta takojë vdekjen. All-llahu e rrëfen këtë të vërtetë në shumë ajete në Kur’an:
Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja, madje, qofshi edhe në kështjellat më të forta!” (Sure Nisa’: 78)
Thuaj: “Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, i Cili e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai do t’ju njoftojë ju për atë që keni bërë.”(Sure Xhumu’a: 8)
Por All-llahu nuk ia shtyn afatin asnjë shpirti, që i vjen koha (evdekjes); All-llahu e di mirë gjithçka që bëni ju. (Sure Munafikun: 11)
Pra, a e shpëton njeriun shmangja nga të menduarit për vdekjen dhe për jetën pas vdekjes nga përballja me këtë realitet? Natyrisht se përgjigja në këtë pyetje është "Jo". Pasi që njeriu është i pafuqishëm kur bëhet fjalë për vdekjen, gjëja më e arsyeshme që duhet të bëjë është që vazhdimisht të mendojë për vdekjen dhe të përgatitet për jetën e përtejme, siç ka thënë Profeti Muhammed (savs): "Meditoni shumë për vdekjen. All-llahu ia hap zemrën atij personi i cili mendon shumë për vdekjen dhe e bën vdekjen të lehtë për të." (Transmetuar nga Ebu Hurejra)
Ata që lënë pas dore të menduarit për Ahiretin ndërsa hutohen nga kjo jetë kalimtare e kësaj bote i zë vdekja në befasi. Atyre që thonë: "Derisa jemi të rinj, mund të jetojmë jetën tonë siç na pëlqen më së tepërmi dhe të mendojmë për vdekjen në vitet e fundit të jetës sonë" e kuptojnë se kurrë nuk do të kenë një mundësi të tillë. Kjo për arsye se vdekja është e paracaktuar nga All-llahu. Një person mund të vdes para se të plaket. Në këtë rast, bërja e planeve për të ardhmen dhe shtyrja e përmbushjes së urdhërave të All-llahut do të çojë vetëm drejt një pendimi të tmerrshëm.
Ata që kalojnë jetët e tyre të larguar prej All-llahut dhe të cilët pendohen vetëm kur e kuptojnë se vdekja ju është afruar do të përjetojnë një pendim të tillë. Megjithatë, pendimi që lind nga frika e vdekjes dhe i cili nuk bart një qëllim të sinqertë për të përmirësuar dhe pastruar veten e tij mund të mos jetë i pranueshëm nga All-llahu. Duke qenë haptazi në favor të kësaj jete me gjithë ekzistencën e vdekjes, njerëzit e tillë përpiqen në mënyrë të dëshpëruar për të shpëtuar veten e tyre vetëm atëherë kur e kuptojnë se vdekja është shumë afër. Mirëpo, kjo nuk u sjell dobi. All-llahu e di josinqeritetin e tyre, sepse All-llahu është më afër njeriut se sa damari i qafës së tij. Ai e di se çfarë ka në brendinë e njeriut, duke përfshirë edhe mendimet e tij më intime dhe sekretet më të thella të tij. All-llahu na bën me dije në Kur’an se Ai nuk do të pranojë pendimin e bazuar në frikën nga vdekja në momentin e fundit:
Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm. (Sure Nisa’: 18)
Në shumë vargje është theksuar se kur u jepet një mundësi tjetër, këta njerëz të pasinqertë shpejt vazhdojnë me qëndrimin e tyre mosmirënjohës:
Sikur t’i shohësh ata kur të vihen para zjarrit, duke thënë: “Ah! Sikur të ktheheshim pas, nuk do t’i mohonim shpalljet e Zotit tonë dhe do të bëheshim besimtarë!” Po, atyre iu doli sheshit ajo që më parë e fshihnin, por edhe sikur të ktheheshin, prapë do të bënin ato që u ishin ndaluar. Vërtet, ata janë gënjeshtarë. (Sure En’am: 27-28)
Për këtë arsye, do të ishte e gabuar të kemi një arsyetim që bazohet në mendimin "Do të pendohem, kur të vijë koha e duhur." Kjo mënyrë e të menduarit nuk do ta shpëtojë njeriun nga dënimi në Xhehennem. Pra, nëse njeriu nuk do të vuajë një dënim të dhembshëm të përjetshëm pas vdekjes, ai duhet të jetojë për një qëllim, duke e ditur se patjetër do ta takojë All-llahun dhe do të duhet të jap llogari për veprimet e tij.

Pendimi i jobesimtarëve në momentin e vdekjes

Gjatë gjithë jetës së tyre, njerëzit përkujtohen shumë herë për ekzistencën e Xhennetit dhe të Zjarrit dhe se duhet të përgatiten për jetën e përtejme. Megjithatë, jobesimtarët bëhen të shurdhër ndaj këtyre paralajmërimeve. Pasi përballen me vdekjen, një nga burimet kryesore të pendimit të tyre është fakti se ata kanë çuar veten e tyre drejt shkatërrimit. Askush nuk i detyroi ata, ata, me vullnetin e tyre, e zgjodhën këtë fund të keq për veten e tyre. Që nga momenti i vdekjes jobesimtarët fillojnë të vuajnë nga pikëllimi. Frika e tmerrshme që ndjejnë në kohën e vdekjes është pikëllimi fillestar i kësaj vuajtje, të cilën All-llahu e sqaron në Kur’an si vijon:
...dhe këmbët do të ngrijnë. Atë ditë, ai do të sillet te Zoti yt. Ai as nuk besoi dhe as nuk u fal, por e mohoi të vërtetën dhe ia ktheu kurrizin, e pastaj shkoi te njerëzit e vet, duke u krenuar. Mjerë për ty! Mjerë për ty! Sërish: Mjerë për ty! Mjerë për ty! (Sure Kijame: 29-35)
Megjithatë, njeriu duhet të mbaj në mend se vetëm jobesimtarët vuajnë nga kjo frikë. Besimtarët e kalojnë gjithë jetën e tyre duke punuar për të fituar kënaqësinë dhe dashurinë e All-llahut. Për këtë arsye, ata janë plot shpresë. Jobesimtarët, në anën tjetër, përjetojnë një pendim të madh e të vonuar kur vdekja i mposht ata. Megjithatë, ky pendim në asnjë mënyrë nuk i mban ata të sigurt nga dënimi, sepse është shumë vonë. Në Kur’an, thuhet se në momentin e vdekjes, shpirtrat e jobesimtarëve merren duke përjetuar vuajtje dhe vështirësi të madhe.
...Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për All-llahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij”. (Sure En’am: 93)
E çfarë do të bëjnë ata, kur engjëjt do t’ua marrin shpirtin, duke i rrahur në fytyrat dhe shpinat e tyre?! (Sure Muhammed: 27)
Sigurisht se nuk ka gjasa për të kuptuar plotësisht atë që përjetojnë mosbesimtarët në kohën e vdekjes. Mirëpo, All-llahu e përshkruan këtë gjendje në mënyrë që njeriu të mund të meditojë dhe t’i shmanget takimit të një fundi të tillë. Engjëjt e vdekjes, siç sugjerojnë vargjet, do t’i marrin shpirtrat e jobesimtarëve, ndërsa i godasin ata në fytyrat dhe shpinat e tyre. Që nga ai moment, jobesimtarët do të vuajnë dhimbje fizike të shoqëruar me një pendim të thellë pasi që e dinë se nuk kanë mundësi të kthehen prapa.
Në momentin e vdekjes, njeriu është plotësisht i vetëdijshëm për atë që i ndodhë atij. Ky është fillimi i jetës së tij të përjetshme. Vdekja është vetëm një fazë kalimtare, ajo është në të vërtetë largimi i shpirtit nga mishi.
Për shkak të dënimit që ata vuajnë në kohën e vdekjes, jobesimtarët kuptojnë se do t’i nënshtrohen një dënimi të madh që do të zgjasë përjetësisht-përveç nëse All-llahu dëshiron ndryshe. Ata që kanë jetuar gjithë jetën e tyre të larguar nga feja e All-llahut fillojnë të luten në mënyrë të sinqertë për faljen e All-llahut dhe për shpëtim. Ata luten që të kthehen përsëri në dynja, për të bërë vepra të mira dhe për të kompensuar atë që kanë humbur. Por dëshirat e tyre nuk janë të pranueshme, sepse atyre u ishte "dhënë një jetë mjaft e gjatë që ata të merrnin mësim", siç pohon All-llahu në këtë ajet. Atyre u ishte dhënë lajmi i gëzuar për kopshtet e Xhennetit dhe ishin paralajmëruar gjithashtu për Zjarrin e Xhehennemit, por ata me kokëfortësi ishin larguar nga gjithë këto të vërteta. All-llahu shpall në Kur’an se ata përsëri do të priren drejt mohimit me dhënien e një mundësie tjetër:
Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë... (Sure Mu’minun: 99-100)
Jobesimtarët me vetëdije nuk iu përulën në sexhde All-llahut, nuk i përmbushën urdhrat e Tij dhe as nuk iu bindën parimeve të larta morale. All-llahu thotë në Kur’an se në kohën e vdekjes, ata nuk do të jenë në gjendje madje edhe vetëm të përulen në sexhde:
Ditën (e Kiametit), kur të zbulohen shumë ngjarje të frikshme, ata do të thirren që të përulen në sexhde, por nuk do të munden! Të ulura do të jenë shikimet e tyre dhe do t’i mbulojë poshtërimi, sepse kanë qenë të ftuar të përuleshin në sexhde, sa qenë shëndoshë (dhe nuk kanë pranuar). (Sure Kalem: 42-43)
Ekziston edhe një çështje tjetër që e bën edhe më të madh pendimin e njerëzve të cilët, në momentin e vdekjes, e kuptojnë se premtimet e All-llahut janë të gjitha të vërteta. Besimtarët, të cilëve jobesimtarët nuk iu besuan dhe nuk i morën me seriozitet në dynja dhe madje edhe u tallën me ta, nuk e përjetojnë aspak pikëllimin që e përjetojnë jobesimtarët në atë ditë. Ata shpërblehen përjetësisht me shpërblimet më të mira, sepse ata e jetuan gjithë jetën e tyre në mënyrë të sinqertë për të arritur kënaqësinë e All-llahut. Ndryshe nga jobesimtarët, shpirtrat e tyre mirren "me butësi", pa asnjë dhimbje. (Sure Naziat: 2) Siç e përshkruan All-llahu në këtë ajet, engjëjt i përshëndesin besimtarët dhe u japin lajmin e gëzuar të Xhennetit.
...të cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër. U thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!” (Sure Nahl: 32)
Kjo është një vuajtje tjetër mendore për jobesimtarët. Atyre u janë ofruar po ato mundësi të njëjta që iu ofruan edhe besimtarëve në këtë botë. Megjithatë, ata me dashje i ndërruan të mirat e përjetshme të Xhennetit për të mirat kalimtare të kësaj bote. Edhe pse u përkujtuan se bota është vetëm një vend sprove për njeriun dhe se banesa e vërtetë është Ahireti, ata u shtinë si të padijshëm për këtë. Prandaj ata nuk u angazhuan në vepra të mira për të arritur Xhennetin. Megjithatë, të jetuarit sipas moralit të Kur’anit dhe të qenit një besimtar i sinqertë është e mundur për çdonjërin vetëm nëse njeriu bëhet i përkushtuar për këtë qëllim. Të menduarit mbi të gjitha këto e bën edhe më të madh pendimin e jobesimtarëve.
Në një ajet All-llahu thotë:
A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë ata! (Sure Xhathije: 21)
Me fjalë të tjera, secili njeri do të shpërblehet ashtu siç e meriton, të mirët me lajm të gëzuar ndërsa të këqinjt me dënim të xhindosur.
Për më tepër frika e njohurisë se Xhehennemi është i përgatitur për ta do ta forcojë edhe më shumë pendimin që ndjejnë jobesimtarët. Deri atëherë ata kanë përjetuar vetëm vuajtjen e largimit të shpirtrave të tyre. Kjo vuajtje megjithatë i bën ata të vetëdijshëm për dënimin e tyre të afërt.
Ky pendim i jobesimtarëve që fillon me vdekjen do të zgjasë për aq kohë sa dëshiron All-llahu. Ata do të mbeten në këtë dënim të përjetshëm në çdo moment, orë dhe ditë që kalon dhe nuk do të kenë shpëtim nga pendimi.
Megjithatë, është në dorën e njeriut të mos vuajë një pendim kaq të madh. Të presësh të takosh vdekjen nuk është medoemos mënyra për ta kuptuar realitetin e vdekjes dhe përtej saj. Për besimtarët, mjafton premtimi i All-llahut. Pas vdekjes, drejtësia e All-llahut mbizotëron pa dyshim; jobesimtarët ndëshkohen me zjarr dhe besimtarët shpërblehen me kopshtet e Xhennetit.
Pra, gjëja më e zgjuar që duhet ta bëjë një person që nuk ka takuar ende vdekjen do të ishte që të kërkojë strehim tek All-llahu dhe të shpresojë në faljen e Tij. Përveç kësaj, njeriu duhet të shqyrtojë me vëmendje Kur’anin, udhërrëfyesin e vetëm për në rrugën e drejtë për njerëzimin, dhe sunnetin e Profetit (savs) për të formuar një kuptim të plotë dhe për të jetuar sipas asaj që urdhërohet. Në vend të shmangies nga të menduarit për vdekjen, njeriu do të përfitojë nga të medituarit mbi realitetin dhe afërsinë e saj dhe duke vepruar në pajtim me këtë.
Ai që i kthehet All-llahut fiton pëlqimin e All-llahut si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër dhe hyn në Xhennet, i kënaqur me Zotin tonë dhe Zoti ynë, i kënaqur me të. All-llahu u jep besimtarëve lajmin e gëzuar për këtë në Kur’an:
O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim! (Sure Fexhr: 27-30)
Mënyra për t’iu shmangur pendimit dhe për të fituar lumturinë e përjetshme është të reflektojmë mbi vdekjen dhe Ahiretin dhe të jetojmë në rrugën e All-llahut, Krijuesit të njeriut.

Pendimi Që Ndien Njeriu Në Ditën E Gjykimit

Pendimi Që Ndien Njeriu Në Ditën E Gjykimit

Kur do t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do All-llahu; pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin. Dhe Toka do të shndrisë me dritën e Zotit të vet dhe do të vendoset Libri (i veprave). Pastaj do të sillen profetët dhe dëshmitarët e ata do të gjykohen me drejtësi, e nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi. Secilit do t’i jepet shpërblimi për atë që ka bërë, sepse Ai e di më së miri se çfarë kanë punuar.(Sure Zumer: 68-70)
Të gjithë ata që kanë jetuar ndonjëherë në tokë ringjallen në Ditën e Gjykimit. Momenti i ringjalljes është një moment hutues për jobesimtarët. All-llahu rrëfen për bisedat plot frikë dhe huti në mesin e jobesimtarëve në momentin e ringjalljes në Kur’an si vijon:
Duke thënë: “Mjerë ne! Kush na ngriti prej varreve tona?” (Do t’u thuhet): “Ja, kjo është ajo që ka premtuar i Gjithëmëshirshmi; të dërguarit kanë thënë të vërtetën!(Surah Ja Sin: 52)
Dhe të afrohet premtimi i vërtetë (Kiameti), atëherë sytë e atyre që nuk kanë besuar, do të zgurdullohen, (e thonë): “Mjerë për ne! Ne kemi qenë të pavëmendshëm ndaj kësaj dhe e kemi ngarkuar veten me gjynahe”. (Sure Enbija’: 97)
Fraza "Të mjerët ne" është një shprehje e panikut të madh, e frikës dhe pendimit të jobesimtarëve. Në momentin kur ringjallen, ata e kuptojnë se ata që i paralajmëruan ata për Ahiretin ishin të drejtë dhe të sinqertë. Ata tani janë të vetëdijshëm, në dëmin e tyre, se paralajmërime të tjera do të dalin në shesh njëra pas tjetrës. Atëherë, pa asnjë mundësi për të shpëtuar, ata do të tërhiqen zvarrë drejt kësaj vuajtje, të cilën ata kurrë më parë nuk e konsideruan si të vërtetë.
Pas ringjalljes prej të vdekurve, jobesimtarët do të sillen për të dalë para All-llahut. Atëherë ata do të thirren të japin përgjegjësi për atë që vepruan në dynja dhe gjykimi do të bëhet në përputhje me rrethanat. Për këtë qëllim, ata sillen në Praninë e All-llahut me të gjithë ata njerëz të tjerë arrogantë që i tejkaluan kufijtë e përcaktuar nga All-llahu.
Atë Ditë do të fryhet në Sur dhe ju do të vini grupe-grupe. (Sure Nebe: 18)
Në ditën e gjykimit, jobesimtarët do të kuptojnë se asnjë veprim tjetër nuk është më i rëndësishëm se të fituarit e kënaqësisë së All-llahut dhe shmangjes së zemërimit të Tij. Kjo theksohet gjithashtu edhe në një hadith të Profetit (savs) në të cilin ai dha shembullin e një jobesimtari që merret në pyetje në ditën e gjykimit:
Një jobesimtar do të sillet në Ditën e Ringjalljes dhe do të pyetet. "Ta marrim se ke pasur aq shumë ari sa ta mbushësh tokën me të, a do ta jepje atë për ta liruar veten?" Ai do të përgjigjet: "Po". Atëherë atij do t’i thuhet: "Nga ti është kërkuar diç më e lehtë se kjo [të mos i bashkosh askënd All-llahut në adhurim (dmth. të pranosh Islamin, por ti nuk pranove)]" (Buhariu)
Dështimi i tyre për ta kuptuar këtë fakt në dynja, ku shenjat e fuqisë dhe të ekzistencës së All-llahut ishin të qarta, e shton pendimin e tyre. Atë ditë, ata do të shohin qartë se e kanë humbur këtë mundësi. Pendimi i tyre është i dukshëm nga mënyra se si flasin:
Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kur’ani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës. (Sure Furkan: 27-29)
Në Ditën e Gjykimit, mosbesimtarët do të jenë aq të zënë me telashet e veta sa që bëhen të shurdhër ndaj thirrjeve të fëmijëve, bashkëshortve, nënave dhe baballarëve të tyre. Në Kur’an, kjo përshkruhet si më poshtë:
Por, kur të vijë Ushtima, atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai, nga e ëma dhe nga i ati, nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet. Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë. (Sure Abasa: 33-37)
Koncepti i familjes humb rëndësinë e vet. Që nga ai moment, e vetmja gjë që ka rëndësi është që të shpëtojnë nga dënimi i All-llahut. Kjo është aq e rëndësishme sa që, për të shpëtuar nga kjo gjendje, jobesimtarët ofrojnë për sakrificë madje edhe fëmijët, bashkëshortët, vëllezërit e tyre, etj.
Atë Ditë qielli do të bëhet si llumi i vajit e malet do të bëhen si lesh i shprishur, shoku s’do të pyesë për të shokun, edhe pse do të vihen të shohin njëri-tjetrin. Për të liruar veten nga dënimi i asaj dite, fajtori do të sakrifikonte me gjithë qejf fëmijët e vet, edhe gruan, edhe vëllanë e vet, edhe farefisin, që i gjendej pranë (ne jetën e Tokës), si dhe të gjithë ata që gjenden në faqe të Tokës, nëse kjo do të mund ta shpëtonte. (Sure Me’arixh: 8-14)
Sigurisht, këto përpjekje të jobesimtarëve nuk sjellin asnjë rezultat. Qëllimi kryesor i jobesimtarëve në jetën e kësaj bote ishte që të grumbullonin pasuri, të bënin karrierë, apo të kishin djem. Ata e kaluan gjithë jetën e tyre për arritjen e këtyre synimeve. Megjithatë, në Ditën e Gjykimit, ata e kuptojnë se të gjitha këto koncepte nuk kanë asnjë vlerë. Dita e Gjykimit është koha kur jobesimtarët do të dëshirojnë të zhduken. Megjithatë, për besimtarët kjo është koha që ata e kishin pritur me padurim dhe me gëzim. All-llahu i përshkruan këto momente në ajetet e Tij, si më poshtë:
Atë Ditë do të ketë fytyra rrëzëllore, të qeshura e të gëzuara. Atë Ditë do të ketë (edhe) fytyra të pluhurosura, që do t’i mbulojë errësira. Këta janë jobesimtarët, gjynahqarët.(Sure ‘Abese: 38-42)
Në Ditën e dhënies së llogarisë, gjërat më të çmuara që posedon njeriu janë veprat e mira që janë bërë vetëm për të fituar kënaqësinë e All-llahut. Megjithatë, jobesimtarët kurrë nuk janë përpjekur për këtë thesar, i cili do t’iu sillte atyre shpëtimin e përjetshëm. Ata nuk kanë as edhe një vepër të vetme të mirë apo mirësi për ta paraqitur para All-llahut në atë ditë. Duke mos pasur besim në All-llahun, të gjitha përpjekjet e tyre të drejta do të fshihen. All-llahu e pohon këtë fakt si më poshtë:
Thuaj: “A doni t’ju lajmëroj për ata që, më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?” Këta janë ata, që nuk kanë besuar në shpalljet e Zotit të tyre dhe në takimin me Të. Punët e tyre do të fshihen, andaj Ne nuk do të vëmë kurrfarë peshe për ta (për veprat e tyre), në Ditën e Kiametit. (Sure Kehf: 103-105)
Ata që e mohuan fenë (dinin) dhe kishin dyshime në lidhje me ekzistencën e Ditës së Gjykimit, nuk ndjenë nevojë për t’u përgatitur për këtë ditë që po afrohet. Një jetë të tërë, ata u preokupuan me grumbullimin e pasurisë dhe duke i ndjekur  dëshirat e tyre të kota. Tani ata ballafaqohen me një pendim nga i cili nuk do të lirohen kurrë. All-llahu e thotë këtë në Kur’an në këtë mënyrë:
Dhe do të thonë: “Mjerë për ne, kjo është Dita e Gjykimit!” Po, kjo është Dita e Gjykimit, të cilën ju e keni përgënjeshtruar! (Sure Saffat: 20-21)
Për më tepër, jobesimtarët do t’i gjejnë të gjitha veprat e pandershme, të pakëndshme dhe të këqija që i kanë kryer në dynja të zbuluara në Praninë e All-llahut. Ata do të dëshmojnë personalisht për mëkatet që i kanë bërë. All-llahu e përshkruan këtë në Kur’an si vijon:
...Ata do të sillen të radhitur para Zotit tënd (e do t’u thuhet): “Tashmë Na erdhët, ashtu siç ju krijuam herën e parë, ndonëse ju (o jobesimtarë) pretendonit se nuk do t’ju caktonim një takim (ringjalljen)”. Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të  tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt. (Sure Kehf: 48-49)
Atë Ditë njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’u tregohen veprat e tyre: kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. (Sure Zelzele: 6-8)
Siç rrëfen All-llahu në Kur’an, atëherë vjen koha për jobesimtarët për t’i parë librat e veprave të tyre.
Besimtarët i marrin librat e veprave të tyre nga ana e tyre e djathtë, ndërsa jobesimtarët nga ana e tyre e majtë. Që nga momenti kur engjëjt e vdekjes morën shpirtrat e tyre, jobesimtarët iu nënshtruan një vuajtje të pafund. Momenti kur ata i marrin librat e veprave të tyre është një tjetër vuajtje. Ata largojnë shikimin nga mëkatet e bëra dhe dëshirojnë të zhduken. All-llahu e përshkruan këtë në vargjet në vazhdim:
Por ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, do të thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im dhe të mos e kisha ditur llogarinë time! Ah, të kisha qenë i vdekur (e të mos isha ringjallur)! Pasuria ime nuk më solli dobi dhe më la fuqia ime!” (Sure Hakka: 25-29)
...Ditën, kur njeriu do të shohë se ç’kanë bërë duart e tij dhe, kur jobesimtari do të thotë: “Ah, sikur të isha pluhur!” (Sure Nebe: 40)
Kurse ai, të cilit do t’i jepet libri i tij pas shpinës, do të lutet për të vdekur dhe në zjarr do të digjet,  sepse ai jetonte i shkujdesur në familjen e tij, duke menduar se kurrë nuk do të kthehej (për të dhënë llogari). Po, Zoti i tij, sigurisht që i ka ndjekur të gjitha punët e tij! (Sure Inshikak: 10-15)
Duke qenë dëshmitarë të këtyre skenave, jobesimtarët e kuptojnë mundësinë që humbën në dynja dhe ndjejnë një pendim shumë të ashpër. Pendimi i tyre bëhet edhe më i madh kur ata shohin dhe vëzhgojnë jetën e lumtur të besimtarëve në Xhennet. Sepse më parë, ata u ftuan në të vërtetën nga besimtarët, por refuzuan me mendjemadhësi dhe u bën të shurdhër ndaj tyre.
Por tani vendosen "peshore të sakta" (Sure Enbija’: 47). Njerëzit çohen në Xhehennem apo Xhennet, bazuar në librat e veprave të tyre. Në Ditën e Gjykimit, jobesimtarët e kuptojnë se për ku janë drejtuar. Me këtë, ata i pushton frika:
Atë Ditë ti do t’i shohësh keqbërësit se si tmerrohen për atë që kanë fituar, ndërkohë që ndëshkimi Ynë do t’i godasë me siguri. (Sure Shura: 22)
Drejtësia e All-llahut mbizotëron dhe përfshin shpërblimin dhe dënimin më të drejtë:
Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje. (Sure Enbija’: 47)
Ky proces është i lehtë për besimtarët. Mirëpo, ai dëshmohet të jetë i vështirë dhe shumë i dhimbshëm për jobesimtarët. Ata do të japin përgjegjësi për çdo mirësi që All-llahu u dha atyre në dynja. Ata do të japin llogari për çdo moment të jetës së tyre: për dështimin e tyre për t’iu bindur urdhërave të All-llahut, qëndrimet e tyre mosmirënjohëse, mendimet dhe fyerjet e  tyre të brendshme rebele, paralajmërimet që ata i shpërfillën. Megjithatë justifikimet e pasinqerta që ata kishin zakon t’i shprehnin në dynja më nuk janë të pranueshme. All-llahu e përshkruan gjendjen me të cilën përballen jobesimtarët në atë ditë në vargjet më poshtë:
Mjerë mohuesit në atë ditë! Kjo është një ditë, kur ata nuk do të mund të flasin dhe nuk do t’u jepet leje për t’u shfajësuar. Mjerë mohuesit në atë ditë! Kjo është Dita e Ndarjes vendimtare, në të cilën do të tuboheni ju dhe popujt e lashtë, prandaj, nëse zotëroni ndonjë dinakëri, përdoreni kundër Meje!  Mjerë mohuesit në atë ditë! (Sure Murselat: 34-40)
Ata jobesimtarë pa vepra të mira për t’i paraqitur para All-llahut "do të dijnë se çka kanë bërë gati"(Sure Tekvir-: 14) për veten. All-llahu e përshkruan këtë vend të vuajtjes "si një" humnerë të pafund ", në Kur’an:
Sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit do të rëndojnë në peshore, ai do të ketë një jetë të kënaqur (në Xhenet). E sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit nuk do të rëndojnë në peshore, Ai do të ketë si strehim Humnerën (e Xhehennemit). Kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Humnera (e Xhehennemit)? Ajo është një Zjarr i vrullshëm. (Sure Kari’a: 6-11)
Këto janë të rëndësishme për të kuptuar thellësinë e pendimit që do ta përjetojnë jobesimtarët në Ditën e Gjykimit. Është tepër vonë që njeriu të ndjejë pendim në Ditën e Gjykimit. Nëse njeriu e kupton plotësisht se çfarë po i thuhet këtu dhe nuk humb aspak kohë për t’u angazhuar në vepra të mira, atëherë ai mund të shpresojë për një "bilanc të rëndë (të veprave të mira)." Vetëm një përpjekje e tillë do ta shpëtojë njeriun nga pendimi i madh.